Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në shtëpi ndaj Partizanit, edhe pse “Demat e Kuq”, luajtën prej minutës së 14 me 10 lojtarë. Në analizën e bërë pas ndeshjes për mikrofonin e “MCN”, trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, ndër të tjera u shpreh:
“Zhvillimi i lojës nuk na shkoi siç duhet, duhet të kishim bërë më tepër te pjesa e minutave të mbetura. Pjesën e dytë futëm Smajlin, që kishte vetëm 48 orë që erdhi nga Shpresa. E rritëm manovrën sulmuese goxha, kaluam në 2-4-2.
Kur luan me një skuadër kompakte si Partizani, është e vështirë. Munduam të shtynim nga krahët, që të përfitonim dhe nga shtatëlartësia, por ishte një ndeshje e balancuar, asnjë nga skuadrat nuk i dha mundësi për shënimi. Ky rezultat ishte i drejtë gjatë gjithë këtyre 90 minutave.
Kemi vështirësitë te 1/3 e kundërshtarit. Edhe pse në 2 ndeshjet e para kemi shënuar. Partizani mbrohej me 8 lojtarë. Është e vështirë që t’i bësh gjërat në 30 metrat e fundit. Në futboll, nuk ia arrin ndonjëherë. Më e hapur do të ishte loja, në qoftë se Partizani luante me 11 lojtarë. Është e vështirë në Shqipëri kur skuadrat vendosen poshtë. Duhet të bënim më mirë, të ishim më të qartë, Normalisht që e vuajtëm pak presionin e rezultatit, u munduam goxha, bëmë gabime në pasime.
Ata bënë mirë dhe dhanë maksimumin. Në kushtet kur hoqëm Boshnjakun dhe shtymë Fernandeshin me Balajn sipër, kërkuam të fitonim ndeshjen. Duhet të shtonim më shumë volumin në krah. Smajli është lojtar që i ka daljet më të mira, nuk funksionoi me Dragoshin në pjesën e parë. Shkalla e dëmtimit është prezente në këto situata. Është risk i madh ti bësh dëmtimet shumë shpejt”, u shpreh Memelli.