Takimi i djeshëm ndaj Bylisit është konsideruar “final” për ekipin e Vllaznisë sepse luante ndaj rivalit direkt në luftën për të mos shkuar në play-out dhe për rrjedhojë barazimi 2-2 i arritur në fund të 90 minutave, penalizon jo pak shkodranët të cilët tashmë e shohin veten të rrezikuar seriozisht.
Por nuk mendon kështu trajneri Hysen Dedja i cili i pyetur në lidhje me këtë çështje, është shprehur kështu pas ndeshjes me ballshiotët: “Jo, kurrsesi nuk e shoh Vllazninë të rrezikuar për rënien. Nuk e mendoj kështu për asnjë moment.
Unë bashkë me stafin kemi bërë disa llogari për ndeshjet e fundit të kampionatit dhe normalisht që sfidën me Bylisin e kisha menduar të fituar ngaqë edhe luanim në fushën tonë. Por kjo nuk do të thotë se planet kanë dështuar. Ato dy pikë që lamë ndaj Bylisit, do t’i marrim diku tjetër.
E rëndësishme është të rregullojmë gabimet tona. Ato që u vërejtën ndaj Teutës, por edhe ndaj Bylisit. Nuk kemi shumë kohë në dispozicion pasi sfida me Tiranën është në prag, por mendoj se mund t’ia dalim. Ajo që më çudit ka të bëjë me faktin se në stërvitje shoh një skuadër shumë të motivuar dhe kjo nuk ndodh edhe në ndeshje.
Mbase është problem psikologjik dhe prandaj do të ulem me lojtarët e do ta bisedojmë shtruar këtë gjë, për të nxjerrë shkaqet dhe për t’u përmirësuar për takimet e ardhshme”.