Shqipëria ka barazuar mbrëmë 0-0 në miqësoren e zhvilluar në Gjenevë ndaj Kamerunit. Ndonëse përballë ishin lojtarë si Samuel Eto, kuqezinjtë tanë kanë luajtur shumë mirë dhe në pjesën e dytë sidomos duhej të kishin shënuar dhe ta kishin fituar ndeshjen. Paraqitja e kombëtares sonë ka qenë përgjithësisht e mirë në këtë miqësore, e fundit për këtë vit dhe ky është një tregues se kjo kombëtare është në rrugën e duhur jo vetëm për t’u rinovuar por edhe për t’u rritur nga ana profesionale.

Në këtë miqësore, ashtu siç pritej, kanë debutuar me kombëtaren tonë edhe dy futbollistët shkodranë, Armando Vajushi në minutën e 75-të në vend të Sadikut dhe Bekim Bala në vend të Sadikut në minutën e 81-të. Të dy këta lojtarë sapo kanë hyrë në fushë, kanë treguar spektakël. Në minutën e 83-të, Vajushi ka depërtuar bukur në krah, ka krosuar në zonë dhe aty Bala ka goditur me kokë dhe vetëm ndërhyrja e portierit të Kamerunit ka bërë që porta e tij të mos preket. Dy minuta më vonë, Vajushi futet bukur në zonë, merr një top nga Bakaj dhe përballë portierit kundërshtar ka gabuar duke e dërguar topin mbi traversë. Pavarësisht kësaj, të dy këta lojtarë duhet thënë se kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe me siguri që do ta kenë fituar “bastin” me trajnerin De Biazi i cili duket se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e këtyre dy lojtarëve dhe ka thënë se do t’i grumbullojë sërish në ndeshjet e ardhshme.
www.shkodrasport.com