Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik beson se skuadra e tij do të transferojë performancën e saj të shkëlqyer në Superkupë dhe Kupën e Mbretit edhe në La Liga. Në kampionatin spanjolle, viti 2024 nuk u mbyll me një shije të mirë.

Një seri barazimesh e humbjesh i kushtuan Barçës vendin e parë në renditje. Dhe teksa pret të përballet me Getafen sonte në mbrëmje, ajo duhet të mendojë të zbusë deficitin prej 6 pikësh me Atletikon e Madridit kryesuese dhe pesë pikësh me Realin e vendit të dytë. Por, Hansi Flik ka folur edhe për tema të tjera rreth aktualitetit te blaugranat.

GETAFE – “Është e vështirë të shënosh në Getafe. Ne kemi folur për këtë me ekipin dhe shpresojmë se plani ynë do të funksionojë. Personalisht më pëlqejnë të gjitha skuadrat në La Liga sepse kanë stilin e tyre, fizionominë e tyre. Edhe Getafe ka veçantitë e saj. Jemi munduar të gjejmë pikat e dobëta për të marrë më të mirën nga kjo sfidë”.

ARAUHO – “Ai ka një vit e gjysmë të mbetur në kontratën e tij. Shpresoj që më vonë, ndoshta, të nënshkruajë një kontratë të re. Por për mua ai është një nga mbrojtësit më të mirë. Unë e shoh atë në seancat stërvitore dhe në ndeshje dhe mund të konfirmoj se ai ka potencial të madh dhe mund të luajë edhe më mirë”.

MERKATO E JANARIT – “Siç them zakonisht, jam i lumtur me ekipin. Ka pak lojtarë të dëmtuar, Bernal dhe Ter Shtegen. Ne po punojmë mirë. Kristensen është kthyer. Jam i kënaqur me ekipin, por merkato është puna e Dekos (drejtori sportiv)”.

SHEZNI APO INJAKI PENJA? – “Nuk kam folur me asnjërin, por e bëj gjumin të qetë”.

ANSU FATI – “Për mua është e rëndësishme të jem i sinqertë me lojtarët. Unë kam qenë i sinqertë me të. Është vendimi i tij. Ne kemi folur për mundësitë që ai ka. Nëse ai dëshiron të qëndrojë, mirë, do ta ndihmojmë të ecë përpara”.

ROTACIONI – “Nuk mendoj për Ligën e Kampioneve që tani. Për ne, ndeshja e radhës është më e rëndësishmja. E di që ka shumë ndeshje, por jam i fokusuar te ajo e radhës, Getafe, pastaj do të mendojmë për Benfikën”.

REALI I MADRIDIT – “Shikoni, e kam ndjekur me vëmendje të madhe takimin kundër Selta Vigos në Kupën e Mbretit. Nuk kam asnjë koment për gjyqtarët, i pranoj gjërat siç janë”.