Europa ka qenë një “njollë” turpi në sezonet e fundit për Barcelonën. Katalanasit kanë pësuar një mori dështimesh spektakolare. Por në këtë sezon gjithçka duket ndryshe. Shenjat ishin me Ksavin përpara, por me ardhjen në stol të Hansi Flikut, Barcelona është transformuar rrënjësisht.
Të martën në mbrëmje, blaugranat kanë siguruar kualifikimin direkt për në 1/8 e finaleve. E kanë bërë në mënyrën më spektakolare në Lisbonë. Ishte një triumf epik. Ata dukeshin tërësisht të shpërfytyruar pas 1-3 në pjesën e parë dhe 2-4 në të dytën. Por pjesa e fundit e takimit ka qenë e pabesueshme. Barça përjetoi disa minuta të çmendura me tre gola që përmbysën rezultatin. Goli i fundit i Rafinjës çoi në ekstazë të gjithë, pasi ishte një gol fitoreje dhe një gol kualifikimi.
Kështu që Barcelona do t’i ndjekë nga divani si spektatore rivalët e mundshëm të saj në 1/8 e finaleve. Barcelona në Evropë ia vlen të studiohet. Në La Liga ajo është e lëkundur praktikisht në çdo ndeshje. Dhe kështu ka qenë për një kohë të gjatë që nga nëntori. Që atëherë ata kanë hyrë në një pikiatë me vetëm gjashtë pikë nga 24 të mundshmet në tetë ndeshje të luajtura. Epërsia ka humbur dhe tani Reali i Madridit komandon klasifikimin me një avantazh që ka filluar të jetë i ndjeshëm.
DREJTPËRDREJT NË 1/8 – Nëse Barça vuan në La Liga, kur vjen puna në Evropë, skuadra transformohet. Pas humbjes së parë në Monako, skuadra ka fituar gjashtë ndeshjet radhazi. Dhe e ka bërë shkëlqyeshëm, duke qenë skuadra që shënon më shumë se çdokush tjetër në kompeticion me 26 gola. Pas saj vjen Borusia e Dortmundit me 19, një diferencë e konsiderueshme. Dhe Hansi Flik ka shumë dorë në të.
NUMRAT E FLIK – Trajneri është një makinë në Champions League. Ishte me Bajernin dhe tani është me Barcelonën. Me të dyja skuadrat, trajneri ka drejtuar 25 ndeshje në kompeticionin më të lartë kontinental dhe rekordi i tij është mahnitës: 22 fitore, një barazim dhe vetëm dy humbje. Me skuadrën bavareze ai arriti të fitojë kompeticionin në atë që njihet si Champions-i i pandemisë, duke mundur Paris SG-në finale.
SUKSESI – Dhe ndonëse është herët, në Barcelonë kanë filluar të ëndërrojnë për titullin në Ligën e Kampioneve. Duke parë trajektoren e tyre këtë sezon, nuk është e pamundur. Është e vërtetë që historia në kualifikuese është ndryshe, por Barcelona ka treguar se përballë rivalëve shumë të fuqishëm është e aftë të arrijë rezultate shumë të mira. E bëri kundër Bajernit dhe në fushën e Dortmundit dhe së fundmi kundër Benfikës në Lisbonë.