Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka folur para takimit në La Liga kundër Gironës. Ai e ka pranuar se skuadra e tij po kalon një moment të shkëlqyer forme. Por kjo nuk e bën Barcelonën të qëndrojë e qetë dhe të flejë mbi dafina. Ai e di më mirë se kushdo se si funksionojnë punët te Barça, ndaj ka kërkuar nga skuadra fitoren në derbin e Katalonjës.

MESAZHI – “Gjithçka është e qartë, duhet të fitojmë kundër Gironës. Kjo është Barça, këtu nuk ka vend për qetësi, për relaks. Një ditë pas ndeshjes dhe më pas vjen takimi i radhës. E njoh shumë mirë këtë realitet. Nëse nuk fitojmë kundër Gironës nuk më vlen aspak suksesi kundër Realit të Madridit. Të gjitha na marrin favoritë, por ne duhet ta tregojmë në fushë. Është e vërtetë se gëzojmë një moment shumë të mirë, por kjo nuk na jep garanci për të fituar në Girona”, tha Ksavi.

KLASIKE NË KUPË? – “Nuk kam përse të mendoj tani për Kupën. Do të flasim të hënën kur të hidhet shorti”.

EFIKASITETI – “Të them të drejtën më shqetëson fakti që krijojmë shumë, por nuk i shfrytëzojmë mundësitë tona për të mbyllur ndeshjet. Më pas jemi të detyruar të vuajmë në fund. Kjo tregon se na duhet punë për të bërë. Jemi përmirësuar ndjeshëm në mbrojtje, por duhet të jemi më efikasë në sulm”.

ROTACIONI – “Kundër Gironës me shumë mundësi do të bëjmë disa ndryshime. Kemi disa lojtarë që rrezikojnë pezullimin, të tjerë që kanë shfaqur disa probleme të vogla. Duhet të menaxhojmë lojtarët”.