Gjatë afatit kalimtar veror, Barcelona mori vendimin që ta largojë nga ekipi Ansu Fatin. Ai iu bashkua Brightonit në huazim për një sezon dhe deri më tash ai ka pasur paraqitje pozitive me ekipin e Ligës Premier.Fati shënoi golin e tij të parë të sezonit në humbjen e rëndë të Brightonit me rezultat 6-1 ndaj Aston Villas të shtunën.

Rezultati 6-1 nuk do t’i jap atij shumë vetëbesim, por goli natyrisht që po. Spanjolli shpreson se do të vazhdojë me këtë formë, e këtë dëshirë e ka edhe Barcelona.Sidoqoftë, katalanasit dëshirojnë që Fati të paraqitet mirë për një arsye tjetër.

Mediumi spanjoll “Sport” ka raportuar se Barcelona dëshiron që ta shesë kartonin e tij përfundimisht verën e ardhshme dhe një aventurë e suksesshme me Brightonin do të thoshte se vlera e tij në treg do të rritej, diçka që blaugranët dëshirojnë që të ndodh.

Barcelona është ende në një krizë financiare, kështu që shitja e Fatit do t’i ndihmonte ata të bëjnë biznes në afatin kalimtar të verës së ardhshme. Kjo mund të përfshijë edhe blerjen e kartonit të Joao Felix, me portugezin që ka zëvendësuar Fatin dhe deri më tash ka impresionuar me paraqitjet e tij.

Fati mahniti komunitetin e futbollit kur doli në skenë me Barcelonën si 16-vjeçar, por mund të thuhet me siguri se 2-3 vitet e fundit kanë qenë një luftë për të për shkak të lëndimeve dhe mungesës së formës.

Arsyet e Xavit për të mos llogaritur më tek Fati burojnë nga mospërmbushja e potencialit të tij të plotë, megjithëse është ende vetëm 20 vjeç, kështu që ka shumë kohë që ta arrijë kulmin e karrierës./Telegrafi/