Barcelona është shumë pranë kolapsit financiar dhe një falimenti të mundshëm që do të shkatërronte për shumë vite klubin katalanas. Këtë e pranon vetë administratori i caktuar për të drejtuar klubin pas largimit të Josep Maria Bartomeut, Karles Tuskets. Në një intervistë për mediat katalanase, ai ka lëshuar alarmin se në klub nuk ka më para as për të paguar rrogat e lojtarëve.
“Situata ekonomike është shumë e keqe. Është shqetësuese, por kemi shpresë që ta zgjidhim. Lojtarët nuk do të marirn dot pagesën e janarit. Klubi paguan dy paga, në janar dhe në korrik. Në janar nuk do të marrin rrogën. Është shtyrë ashtu si janë shtyrë pagesa të tjera si bonuset për tituj të fituar.
Nejmar? Nëse vjen gratis, vetëm atëherë mund të afrohet, ose nëse presidenti i ardhshëm do të bëjë një mrekulli, ose nëse shitet gjithçka dhe të gjitha paratë shkojnë për të mbyllur këtë operacion. Duke folur nga pikëpamja ekonomike, verën e kaluar, unë do të kisha shitur Mesin.
Kjo do të kishte qenë gjëja më e dëshirueshme nga kjo pikëpamje. Për të ardhurat që fiton dhe ato që kursen”, ishin deklaratat e tij që janë kthyer në temë kryesore diskutimesh në Spanjë, ku falimenti i klubit duket gjithnjë e më afër. /vipsport/