Barcelona është duke kërkuar një qendërmbrojtës të besueshëm dhe me eksperiencë, pasi ka nevojë urgjente për përforcime në janar, duke parë që Samuel Umtiti është dëmtuar muajin e shkuar dhe para pak ditësh u dëmtua edhe veterani Thomas Vermaelen.

Sipas radios RAC1 klubi katalan e ka gjetur lojtarin që i duhet, sepse ka arritur marrëveshjen me Valencia-n për kolumbianin Jeison Murillo.

Ish-mbrojtësi i Interit ishte lojtar kyç te zikaltrit, por sezonin e shkuar luajti në huazim te Valencia, që e bleu në verë për 12 milionë euro. Që atëherë gjithçka ters, sepse trajneri Marcelino nuk e do në ekip dhe Murillo ka luajtur shumë pak.

Tani Barça pritet ta marrë në huazim, duke përfituar nga fakti që kolumbiani ka pasaportë spanjolle, ndërkohë që edhe mosha e tij e re, 26 vjeç, është avantazh i konsiderueshëm dhe nuk përjashtohet blerja përfundimtare nëse huazimi rezulton i goditur.

26-vjeçari do të ishte një zgjidhje afatshkurtër deri në fund të sezonit, ku do të nisë sulmi për Matthijs de Ligt që luan te Ajax. Qendërmbrojtësi i talentuar holandez mund të blihet vetëm në merkaton e verës. Barcelona gjithashtu po studion alternativa të tjera, si Branislav Ivanovic dhe Martin Skrtel.