Vendimi i Ernesto Valverde për të bërë rotacion në formacionin startues, në transfertën e “Balaídos”, ka bërë që katalanasit të përsëritnin një statistikë, që nuk “materializohej” prej një kohe të gjatë.
Fjala është për mungesën e lojtarëve “autoktonë”, në formacionin fillestar.
Kishte plot 16 vite, që Barcelona nuk luante një ndeshje në La Liga pa asnjë lojtar të formuar në “La Masía”, akademinë e vet, në 11-shen titullare.
Konkretisht, që nga 6 prilli 2002, kur Carles Rexach rreshtoi një ekip të “shkretuar” nga lojtarët “autoktonë”, që luajti dhe fitoi 2-0 ndaj Athletic.
Në atë rast, skuadra katalanase startoi me këta lojtarë: Bonano; Reiziger, Christanval, Abelardo, Coco; Rochemback, Cocu, Luis Enrique; Rivaldo, Saviola dhe Overmars.
Nga ana e vet, skuadra e paraqitur mbrëmë nga Valverde, si titullare ndaj Celta Vigo, përbëhej nga: Ter Stegen; Semedo, Yerry Mina, Vermaelen, Digne; Gomes, Paulinho, Coutinho, Denis; Alcácer dhe Dembélé.
“Autokton”, pra i dalë nga akademia e Barcelonës, nuk mund të konsiderohet edhe Denis Suarez, i cili erdhi për të luajtur te Barça B.
Megjithatë, galiciani u formua në akademinë e Celta Vigo, së pari, dhe te Manchester City, më vonë.
16 vite edhe në Champions
Nëse në statistika llogariten edhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve, ju, gjithashtu, duhet të ktheheni pas 16 vite, për të mbërritur herën e fundit, kur skuadra katalanase rreshtoi një formacion startues pa lojtarë vendas.
Kjo ndodhi në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, në edicionin 2001-2002, kundër Real Madridit.
Në atë rast, në ditën e Shën Gjergjit, në vitin 2002, trajneri Rexach rreshtoi: Bonano; Reiziger, Frank de Boer, Abelardo; Rochemback, Motta, Cocu, Luis Enrique; Overmars, Saviola dhe Kluivert./telesport/