Ka ardhur koha. Këtë të mërkurë fillon dita e parë të pjesës tjetër të “jetës” së Barçës në Ligën e Kampionëve për sezonin 2017-2018.
Nëse dëshiron të jetë në finale, në Kiev, më 26 maj, ajo duhet të vijojë në rrugën e mirë, që ka përshkuar derisa ka arritur në këto çerekfinale.
Do të ishte e padobishme nëse ekipi katalanas humbet performancën dhe besueshmërinë e tij tani. Vlerat dhe virtytet, që kanë qenë të natyrshme në këtë sezon, janë fantastike për këtë ditë.
Por, Europa është një tjetër gjë nga La Liga dhe rivali (Roma), apriori, gjithashtu.
Roma di si të konkurrojë, si t’i bëjë gjërat të vështira për këdo, edhe nëse i ka mbetur vetëm “një fishek”.
Aq më tepër që çerekfinalen e kthimit do ta luajë në “Olimpico”, në kryeqytetin italian.
Barcelona duhet të ketë një durim të pafund për të kapërcyer rendin dhe disiplinën taktike të një kundërshtari, që pëson pak gola dhe që di çfarë të bëjë me topin në zotërim, teksa kalon një tranzicion mjaft të shpejtë.
Atëherë, çfarë do të shohim nga Barça? Përveç surprizës së madhe, diçka e pamundur në rastin e Valverde, i cili zakonisht nuk bën “shpikje”, ne do të shohim në “Camp Nou” të njëjtin ekip, që mundi dhe eliminoi Chelsea në 1/8 finale të Champions-it.
As nuk ka alternativa të tjera, nëse analizojmë se si Valverde i menaxhon zakonisht lojërat e mëdha.
Më së shumti, ai mund të dyshojë nëse starton me modulin 4-4-2, me Paulinho që forcon mesfushën, ose 4-3-3, me Dembélé në krahun e djathtë. Kjo e dyta ishte alternativa e fundit, që aplikoi kundër Chelsea.
Duke luajtur në shtëpi, duke pasur detyrimin që të përpiqet për të shkuar në Romë me rezultatin më të mirë të mundshëm, kuptimi i përbashkët tregon se katalanasit duhet të largohen nga qasja difensive.
E kundërta duhet të ndodhë, për të shënuar dhe pasur epërsi sa më komode për kthimin. Dueli, natyrisht, do të ketë një protagonist shumë të qartë.
Përveç të zakonshmëve, natyrisht. Do të thonim Sergio Busquets, i cili kthehet në formacionin titullar pas dëmtimit të kockave në gishtin e vogël të këmbës së tij të djathtë, kundër Chelsea.
Me Busquets në përbërje, Barça ka më shumë balancë, kjo është e dukshme.
Dhe me balancë, ekipi jep më shumë dhe luan më mirë. Me këtë lojtar në fushë, Barcelona është më e qetë.
Dhe, kur është kështu, kontributi i Leo Messit është më i madh, sepse argjentinasi ka më shumë liri dhe më pak përgjegjësi mbrojtëse.
Me udhëzuesin e ekipit të ankoruar në mesfushë, Iniesta dhe Rakitiç, në një formë të shkëlqyer sportive, do të jenë partnerët e tyre të çlodhjes.
Me Messin, duke u kujdesur për zonën romake, Luis Suarez do të jetë përsëri pronari i rolit të tij të besueshëm, duke pritur që të shpërthejë në versionin “më të keq”.
Sulmuesi uruguajan ende nuk e ka parë rrugën e rrjetës në këtë sezon, në Ligën e Kampionëve.
Prapavija e katalanasve do të jetë ajo e zakonshmja. Ata mund të “recitohen” nga kujtesa: Ter Stegen, Sergi Roberto, Piqué, Umtiti dhe Alba. Të pestë janë të paprekshëm. Diçka esenciale./telesport/