Pak ditë më parë me rastin e 100 vjetorit të Vllaznisë është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Fatbardh Jera sigurisht që është ndjerë i lumtur për këtë vlerësim për atë kontribut që ka dhënë për Vllazninë dhe ekipin kombëtar dhe gjithçka ia ka dedikuar qytetit të tij të lindjes- Shkodrës e cila sipas tij mbetet e veçantë në dashurinë që ka për sportin.
Këtë e ka deklaruar edhe në një intervistë dhënë gazetarit Gjon Gjeka për A2 Neës kur ka deklaruar: “Nga informacionet që kam, në Shkodër ka rreth 80 ekipe amatore dhe për një qytet me 150 mijë banorë është një shifër përgjithësisht e kënaqshme.
Të mos harrojmë se Tirana ka 1 milionë banorë dhe ka 160 ekipe. Ky është disproporcion jashtëzakonisht i madh por që tregon më së miri edhe dashurinë e madhe që kanë shkodranët për futbollin.
Njëkohësisht kjo masë e madhe e fëmijëve që merren me futboll, sjell edhe cilësinë dhe këto lojtarë që nxjerr Shkodra duhet të motivohen, të rriten e të edukohen në gjirin e Vllaznisë dhe jo të shpërndahen në ekipe të tjera sepse për mendimin tim është fatkeqësi për Shkodrën”.
Jera përveçse si ish- futbollist dhe tashmë edhe anëtar i KE të FSHF-së, është edhe një biznesmen shumë i suksesshëm dhe i pyetur nëse do ta ndihmonte Vllazninë nëse ia kërkojnë një gjë të tillë, është shprehur:
“Unë edhe para disa vitesh kam qenë koferent me lëvizjet tek Vllaznia dhe kam patur dëshirë që të afrohem por rrjedhet e ngjarjeve shkuan ndryshe dhe për momentin nuk e mendoj, por them se Vllaznia në qoftë se do t’i kalojë privatit, ka për të qenë shumë më mirë sepse çdo biznesmen tjetër dhe jo vetëm unë, do të afrohej me një garanci se investimi do të bëhej për familjen e vet dhe nuk do të mendonte se paratë e tij do të shpërdoroheshin”.
© shkodrasport.com