Pukjanët i pret një përballje delikate këtë javë, ku të hënën do të përballen me Gramshin në transfertë. Trajneri Sinan Bardhi u ka kërkuar të tijve fitoren, pas dy ndeshjeve të humbura.
“Triumfi do të jetë mënyra më e mirë për të mbyllur fazën e parë. Për mua, ndeshja në shtëpi ndaj Luzi 2008, ishte më e dobëta për Tërbunin dhe duhet të mbajmë përgjegjësi të gjithë.
I kemi mundësitë që të reflektojmë në ndeshjet në vazhdim për të marrë rezultate pozitive, duke u nisur nga përballja e radhës me Gramshin. Gjatë gjithë javës jemi stërvitur maksimalisht dhe me vëmendjen te ky takim.
Të gjithë kanë marrë ngarkesën e duhur dhe jam i bindur se do të japin më të mirën në fushë. Synim i radhës janë vetëm tri pikët. Barazimi nuk na hyn në punë. Duhet të jemi të kujdesshëm e të shfrytëzojmë çdo rast që na jepet para portës kundërshtare”, u shpreh trajneri Bardhi.