Nuk ka lindur në Shkodër, por është bërë një shkodrane e vërtetë. E kemi fjalën për Bardhylka Beshirin, ish- basketbollisten e mirënjohur të Vllaznisë së viteve ’70 e cila ka lënë gjurmë në këtë sport teksa është bëre edhe kapitene e Vllaznisë dhe ka fituar edhe trofe me të.
Bardhylka Beshiri nisi të luajë basketboll me Skënderbeun, në qytetin e saj të lindjes, në Korçë. Në vitin 1970 erdhi në Shkodër për të kryer studimet në Insitituin e Lartë Pedagogjik dhe që prej atij viti vendosi të luante dhe të përfaqësonte Vllazninë.
Në një shkrim të vitit 1975, gazeta “Sporti Popullor” e përshkruante kështu këtë sportiste: “Gjithkund e para. Në çdo ushtrim. E mposht lodhjen me guxim dhe drejton shoqet në stërvitje, qoftë në lojë. Jo më kot është zgjedhur edhe kapitenia e ekipit.Ajo erdhi duke u perfeksionuar si sportiste nëpërmjet një stërvitjeje intensive dhe të pandërprerë. Ajo nuk e dallonte kurrë stërvitjen nga ndeshja.
Kur mbaroi studimet në Institutin e Shkodrës nuk u largua nga ky qytet, por nisi punë si mësuese e edukimit fizik në shkollën 8 vjeçare “Ali Laçej”. Nga ky qytet zgjodhi edhe njeriun e saj të jetës, pikërisht një ish- basketbollist, Ali Beshirin”.
Në vitin 1979, Vllaznia e basketbollit të femrave do të fitonte medaljet e arta në Spartakiadën e 4-të Kombëtare dhe pjesë e rëndësishme e këtij suksesi ishte edhe Bardhylka Beshiri që mbante edhe shiritin e kapitenes.
Një sukses i merituar i këtij ekipi të drejtuar nga trajneri Valter Kalaja dhe që pjesë e tij ishin edhe sportistet e tjera si Liqe Hasaj, Aferdita Rakaj, Shyhrete Halili, Hydajete Burrja, Xhuli Shestani, Lumnije Syka, Mimoza Lika dhe Mimoza Kraja.
Një vit më vonë Bardha, siç e thërrisnin në Shkodër, detyrohet të tërhiqet nga basketbolli sepse Federata nxjerr një rregull të ri që sportistet nën 1.68 metra të gjata, nuk lejoheshin të luanin. Përjashtim bënte tek Vllaznia vetëm një sportiste, ndërkohë që nën këtë gjatësi ishin dy në atë kohë: Bardhylka Beshiri dhe Xhuli Shestani.
Drejtuesit e ekipit vendosën që për moshën më të re të Shestanit, ta mbanin atë në ekip ndërkohë që Beshiri detyrohet të largohet nga sporti, por padyshim duke lënë prapa një emër shumë të mirë.
Gjergj KOLA