Sfida e nesërme ndaj Kamzës konsiderohet shumë e vështirë megjithatë në kampin shkodran jo vetëm që e kanë vlerësuar seriozisht atë por edhe ka optimizëm për kalimin me sukses. Njëri prej futbollistëve të këtij ekipi, pikërisht mesfushori Florind Bardulla para gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp, e ka deklaruar këtë gjë kur ka thënë:
“Kamza vërtetë konsiderohet një skuadër e fortë sidomos në fushën e saj megjithatë tregoi se di të fitojë edhe jashtë e këtu i referohem fitores së fundit në Gjirokastër. Megjithatë ne jemi Vllaznia dhe Kamza nuk mund të krahasohet me ne, jo vetëm për emrin dhe historinë por edhe për përbërjet që kanë dy ekipet aktualisht. Gëzojmë një formë të mirë sportive, kemi prodhuar lojë në këto pesë ndeshjet e para dhe nëse nuk kemi marrë pikët e duhura, kjo ka ardhur prej gabimeve tona. Shpresojmë t’i korigjojmë këtë herë dhe të kthehemi me tre pikë nga ky takim”. Duket disi e palogjikshme që Vllaznia të kërkojë fitore jashtë fushe kur në fakt ajo në dy ndeshjet që ka luajtur këtë kampionat në Shkodër, ende nuk e ka gjetur fitoren. Për Bardullën ky është një kampionat disi i çuditshëm e prandaj ai shton: “Në kampionatin e sivjetëm, secila skuadër mund të fitojë në Shkodër dhe po ashtu, edhe Vllaznia mund të fitojë në çdo fushë tjetër. Kështu mund të veprojë edhe çdo skuadër tjetër. Për këtë arsye, ne do kërkojmë fitoren në Kamëz duke shpresuar që gjithçka të jetë fair-play si me arbitrimin ashtu edhe me faktorët e tjerë që ndikojnë në mbarëvajtjen e ndeshjes”.
© shkodrasport.com