Vllaznia është në një moment të vështirë, por në Shkodër problemet nuk kanë fund. Përveç renditjes aktuale të këtij ekipi, tashmë janë edhe dëmtimet e shumta të cilat po e shoqërojnë gjatë kohëve të fundit.
Në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit, Vllaznia është gati të përballet thuajse me gjysmën e ekipit, për shkak të pezullimeve dhe dëmtimeve. Në një intervistë për “Sport Arena” në TV Rozafa, Florind Bardulla shprehet se Partizani do të tentoj kthesën pas turpërimit ndaj Luftëtarit.
“Tashmë jemi duke menduar për ndeshjen e Partizanit dhe kemi vetëm një synim, të shkojmë atje për një rezultati pozitiv. Nuk duhet menduar fakti se humbja e Partizanit ndaj Luftëtarit do të na e bëjë më të lehtë. Madje do ta kemi shumë të vështirë, sepse ata duan të ndryshojnë situatën. Do jetë një ndeshje e vështirë duke parë ekipin e Partizanit, ndaj parashikoj se do të jetë një ndeshje agresive”.
Po angazhohemi shumë këto ditë dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë kam shumë besim në këtë pikë. Sa i përket mungesave, ne kemi pasur edhe herë të tjera, nuk kemi luajtur me një formacion stabël këto javë. Dua të falënderoj edhe Ruçin, që bëri një ndeshje të mirë me Kamzën. Duhet falënderuar, pasi po jep maksimumin. Loja e tij ishte në ngritje nga minuta në minutë dhe na e bën më të lehtë ne. Është një ndihmë e madhe për ne”, ka përfunduar Bardulla.