Sigurimi I katër vendeve për në Olimpiadën “Londra 2012” nga peshëngritësit shqiptarë, konsiderohet një sukses I madh nga trajneri I ekipit kombëtar të peshëngritjes, shkodrani Genc Barkiçi. Sipas tij, ky është një eveniment që duhet të gjejë edhe jehonën e duhur në ambjentin sportiv shqiptar. “Kemi bërë një paraqitje të mirë në Botërorin e fundit të zhvilluar në Paris.
Ndonëse nuk morëm medalje përveç asaj që mori Romela Begaj, e rëndësishme ishte që të gjithë peshëngritësit e ekipit kombëtar punuan për renditjen ekipore duke tentuar t’I japin sa më shumë pikë atij. Fakti që kemi bërë një paraqitje të tillë që u sigurua edhe me konfirmimin e katër sportistëve për të marrë pjesë në Olimpiadën e ardhshme, është treguesi më I mirë për këtë”-ka thënë trajneri I kombëtares Barkiçi. Dje, kombëtarja e shtangës është pritur nga Ministri Bumçi që mbulon edhe sportin. Ai përveçse ka uruar sportistët për suksesin e arritur, ka treguar se vëmendja e Ministrisë që ai mbulon por edhe e Qeverisë ndaj rezultateve të larta të sportistëve, do të vijë duke u rritur. Por Erkand Qerimaj dhe të tjerë sportistë kanë kërkuar më tepër interes nga shteti për shpërblimet e këtyre sportistëve në momentin që ata arrijnë rezultate të larta. E rëndësishmë është që kemi katër vende të sigurta të fituar (I sigurtë duket edhe Erkand Qerimaj në këtë listë) me djersë nga peshëngritësit shqiptare. Për trajnerin e kombëtares Barkiçi, ky numër mund të shkojë në gjashtë sepse pretendohet që edhe dy vajza të sigurojnë këtë të drejtë në aktivitetin e ardhshëm.