Sytë e të gjithë shkodranëve më shumë se në Korçë nesër, janë të përqendruar tek sfida që do të luhet në “Selman Stërmasi” në mes Partizanit dhe Kamzës.

Kjo normale sepse prej rezultatit të kësaj sfidë, mund të vendoset fati i Vllaznisë.

Ish- futbollisti i saj por edhe i kombëtares shqiptare Çlirim Basha, në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet: “Unë jam optimist për Vllazninë.

Duke arritur ajo të marrë një fitore në Korçë, aty ku të gjithë besoj se do e kenë mendjen tek festa e titullit kampion, do të shohë pastaj se çfarë do bëjë Partizani në Tiranë.

Aktualisht e shoh sot 50 me 50 sa i takon përqindjes së shpëtimit dhe arsyeja pse mendoj kështu ka të bëjë me një fakt.

Nëse Partizani luan futboll, në 10 ndeshje i fiton 9 kundër Kamzës.

Kemi të bëjmë me një ekip që mund ta nxjerr fitoren në çdo moment dhe përderisa është në lojë për Kupat e Europës, besoj se do ta fitojnë këtë ndeshje.

Nëse ndodh kjo e Vllaznia shpëton, patjetër që duhet bërë një revolucion tek skuadra shkodrane.

Sa më shpejt të jetë e mundur, klubi t’i kalohet privatit sepse kështu nuk mund të vazhdohet më”.
www.shkodrasport.com