Nisja jo e mirë që Vllaznia i ka bërë kampionatit, ka shqetësuar jo pak edhe drejtuesit e Bashkisë Shkodër dhe Këshillin Mbikëyrës të klubit. Ky i fundit ka zhvilluar pasditen e sotme mbledhjen e rradhës ku mësohet se ka marrë pjesë edhe kryebashkikja Ademi si dhe drejtuesit e klubit e trajneri. Në mbledhjen që mësohet të ketë zgjatur rreth 2 orë, diskutimet kanë qenë të shumta por nga sa merret vesh nga njoftimi zyrtar që ka nxjerrë klubi, konkluzioni i gjithë mbledhjes ka qenë kërkesa për të ndryshuar situatën sa më parë dhe njëkohësisht dhënia e mbështetjes maksimale si nga ana morale po ashtu edhe financiare për skuadrën dhe kjo duket shumë e rëndësishme në këto momente. Ja çfarë thuhet në njoftimin e klubit shkodran:
NJOFTIM PËR MEDIAT
“Këshilli Mbikëyrës i KF Vllaznia ka zhvilluar pasditen e sotme mbledhjen e tij të rradhës pikërisht për të analizuar nisjen e sezonit futbollistik, problematikën e shfaqur, mungesën e rezultateve në këto javë të para të tij por edhe për të gjetur rrugët e daljes nga kjo situatë. Në këtë mbledhje, përveç pesë anëtarëve të Këshillit, zotërinjve Xhevdet Amuli, Edip Shiroka, Xhemal Bushati, Luan Heta dhe Avenir Haxhija, ka marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi. Në këtë mbledhje kanë qenë të ftuar për të marrë pjesë edhe administratori i klubit Vllaznia Neritan Kalamishi, drejtori sportiv Armir Grima dhe trajneri Luan Zmijani. Ka qenë kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, z. Amuli ai që ka shpjeguar atë çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të fundit që nga momenti kur Këshilli pat miratuar një fond për ecurinë e klubit dhe duke lënë detyrat për nisjen e sezonit të ri. Në ndërhyrjet e anëtarëve të tjerë të Këshillit është ngritur edhe shqetësimi i merkatos, pse nuk janë mbajtur disa lojtarë shkodranë në skuadër, pse nuk janë marrë disa shkodranë të tjerë që luajnë në ekipe të tjera dhe po ashtu është kërkuar edhe llogari për efektivitetin e merkatos së zhvilluar. Këtyre përgjigjeve i kanë dhënë përgjigje administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima që kanë shpjeguar gjithçka ka ndodhur ndërsa më pas trajneri Zmijani ka bërë një ecuri të hollësishme të punës së bërë, problematikës së hasur dhe nisjes jo të mirë të kampionatit. Në mes pjesmarrësve në këtë takim nuk kanë munguar as pyetjet dhe përgjigjet duke kërkuar që përmes tyre të dalë sa më mirë në pah situata në të cilën po kalon Vllaznia. Shqetësimi i të gjithëve natyrisht që ka qenë situata në të cilën ndodhet aktualisht skuadra dhe për këtë arsye është diskutuar mbi faktorët që mund të ndikojnë në daljen prej saj. Këshilli Mbikëqyrës fillimisht dhe më pas edhe kryebashkiakja Ademi kanë garantuar drejtuesit e klubit se tani e tutje do t’i qëndrojnë më pranë skuadrës, do bëjnë çmos për të ndërhyrë tek Federata për liçensimin e fushës sportive “Reshit Rusi” dhe po ashtu, kanë premtuar që në ditët e para të tetorit do të miratohet edhe fondi i duhur për mbarëvajtjen e punëve tek klubi. Ashtu si dhe më parë, Këshilli Mbikëqyrës ka garantuar anën financiare të futbollistëve dhe të stafit teknik dhe kjo natyrisht që është shumë e rëndësishme. Në takim është diskutuar edhe mbi problemin e firmosjes së kontratës në mes Bashkisë Shkodër dhe FSHF-së për stadiumin “Loro Boriçi” dhe kryebashkiakja Ademi ka siguruar që në këtë mes nuk ka asnjë pengesë. Kontrata është gati por i takon Këshillit Bashkiak në bazë të ligjit për ta miratuar atë. Kjo gjë pritet të bëhet në mbledhjen e ditëve të para të tetorit dhe me rinisjen e punimeve në stadium, shpresohet që punimet aty të përfundojnë sa më shpejt sepse kjo ndikon në të mirë të ekipit të Vllaznia. Mbledhja e pasdites së sotme në këtë mënyrë ka qenë shumë e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës duke i siguruar futbollistëve dhe stafit mbështetje maksimale por natyrisht edhe duke i kërkuar llogari për t’u kthyer sa më shpejt tek rezultatet pozitive, madje duke filluar që nga ndeshja e së dielës me Laçin”.
Zyra e shtypit e KF Vllaznia