Opinion nga Senad NIKSHIQI
“Janar, janar, janar”, kjo ishte fjala e vetme që kishin në gojë pronarët e rinj të Vllaznisë në momentin kur morën në odrë skuadrën e Vllaznisë pa dorëheqjes së Presidentit të atëhershëm Valter Fushaj. “Janar” ishte përgjigja e vetme kur gazetarët e çdo kush tjetër pyeste Presidencën e re, Bashkinë Shkodër. Me atë shprehje i referoheshin muajit janar se aty do ndodhte mrekullia. Aty Vllaznia, sipas asaj çfarë thuhej do bëhej Barcelona e Shqipërisë. Premtime pa fund e fjalë pa mbarim, të cilat realisht dolën false. Publikisht thuhej qoftë nga zoti Luka, më pas me radhë nga zoti Troshani, drejtori Shaba e gjithë të tjerët se në janar, Vllaznia do merrte formën e plotë të një shoqërie aksionere, ku aksionet që edhe tani vazhdojnë të jenë 100% të Bashkisë do të shiteshin personave të ndryshëm të cilët do shfaqnin interes. Në fak janari na la shëndenë, e asgjë nuk ka ndodhur, situata është e njëjtë, madje edhe më keq seç e kemi parashikuar. Kur ne gazetarët çdo ditë jepnim alarm që Fushaj s’duhej lënë të ikte ashtu apo që janari nuk do sjellë asgjë, drejtuesit aktual thonin se ne po nguteshim në arsyetimin tonë dhe se duhej pritur. Në fakt ajo temë (kthimi sh.a) u la brenda pak ditëve qoftë për të mos ndikuar tek skuadra po ashtu edhe për të besuar tek Presidenca që drejton edhe qytetin më të madh verior. Besuam por si zakonisht u zhgënjyem sepse siç e dini situata te Vllaznia është ndoshta aq keq si asnjëherë më parë. Kur vetë drejtuesit nuk kanë më besim tek ekipi, llogarit çfarë duhet të mendojnë tjerët. Dy herë janë miratuar shuma të mëdha lekësh nga Këshilli Bashkiak dhe ato lekë është thënë që mjaftojnë për të përballuar sezonin deri në janar, sepse në atë muaj mendohej që do kthehej totalisht në sh.a. Por nuk ka ndodhur ashtu. Në fillim në media u fol fuqishëm për disa donatorë misteriozë që po kontribuonin tek Vllaznia por këto u hodhën poshtë kategorisht nga drejtuesit e skuadrës. Tani që janari iku, me çfarë lekësh do të mbahet Vllaznia sepse dy këstet e para të kaluara me Këshillin Bashkiak janë llogaritur deri në muajin janar. Nëse nuk ka donatorë misterioz nga pjellin lekët për Vllazninë? Me interes pres përgjigje për këtë pyetje, unë dhe gjithë opinioni sportiv shkodran e më gjërë. Por e di që s’do marr përgjigje. Në fillim brenda pak ditëve u dhanë shuma të mëdha lekësh për portierin Vujadinoviç e të tjerët në skuadër dhe u tha që një nga hyrjet është e drejta televizive. Ato 30 milionë lekë akoma nuk janë marrë, çka vërteton se ato çfarë janë thënë në media janë të vërteta. jemi të bindur që Bashkia nuk ka patur nga ti gjejë ato lekë menjëherë dhe patjetër që veç donatorëve misteriozë është kërsitur edhe në dyert e biznesmenëve të Partisë Demokratike të cilët me hir e pahir janë detyruar të paguajnë për Vllazninë. Vllaznia që nga ikja e Fushajt vetëm është përkeqësuar. Kanë ikur shumë futbollistë cilësor, thuajse tërë baza e skuadrës dhe asnjë prej tyre nuk është zëvendësuar, çka tregon dështimin e Bashkisë Shkodër në drejtimin e Vllaznisë. Na u pat thënë që do krijojmë një ekip pretendent. Në fakt është e kundërta, është një skuadër që më shumë se pretendente duhet të shohë mirë të shpëtojë rënien nga Superliga. Sa i takon Kupës ka një shans më shumë për daljen në gjysmëfinale, por kush siguron që shkodranët do kalojnë gjysmëfinalen e madje të fitojnë edhe Kupën (duke parë ekipin që është aktualisht). Kështu tek Vllaznia vijon të jetë një situatë ende e paqartë, nuk dihet nga vijnë ato lekë ndëkohë që kemi edhe një ekip tërësisht modest që nuk e di çfarë kërkon në këtë sezon. Bashkia Shkodër do ishte mirë që ta lëshojë sa më parë Vllazninë personave që kanë aftësinë për ta drejtuar e për të financuar (që nuk janë të paktë në Shkodër) dhe të merret më mirë me punët e qytetit, të pastrojë borën në rrugët që janë kthyer si pista patinazhi, e më pas ti rikonstruktojë sepse e kanë kthyer Shkodrën si një gërmadhë. Për një Vllazni siç e kemi tani nuk ka nevojë për drejtues fare sepse mund të qëndrojë kështu vetëm me futbollistët e rinj që Shkodra prodhon çdo vit, në jeni të zotë krijoni atë skuadrën kompetitive siç e meriton Shkodra dhe shmangni daljet publike e replikat e kota me mediat sepse siç po ju kujtojmë jemi ne që kemi gjithmonë të drejtë. Ju në vend të fjalëve na tregoni punën, sepse fjalët janë detyra jonë e puna detyra juaj. Kujdes! Mos ngatërroni rolet!