Bashkia e Pukës ka nisur së fundmi procedurat ligjore për shitjen me ankand të aksioneve të klubit të Tërbunit në masën 100 %. “Panorama Sport” zbulon se Këshilli Bashkiak i Pukës do të miratojë edhe zyrtarisht në mbledhjen e radhës nisjen e ankandit, nga ku do të ketë edhe një vendim për përcaktimin e vlerës së shitjes së aksioneve.

“Kjo kërkesë vjen si rezultat i përcaktimeve ligjore për detyrimin e pushtetit vendos për privatizimin e klubeve sportive, bazuar në kërkesa e FSHF-së dhe KLSH-së. Me anë të këtij projekt-vendimi kërkojmë dhënien e pëlqimit për fillimin e procedurave ligjore për shitjen me ankand në masën 100 % të aksioneve që bashkia Pukë zotëron si aksionere e vetme e Klubit të Futbollit Tërbuni sh.a.

Bashkia Pukë do të marrë masa në vijim për hartimin e raportit të vlerësimit të aksioneve dhe përcaktimin e vlerës minimale të shitjes, e cila do të shërbejë në të ardhmen pas shprehjes së Këshillit Bashkiak në lidhje me fillimin e procedurave ligjore për shitjen me ankand.

Nëse jepet pëlqimi, procedura vijon me ane të ankandit publik të hapur, ku bashkia Pukë do t’i drejtohet Këshillit Bashkiak për miratimin e dokumenteve të ankandit, raportin e vlerësimit nga ekspertët përkatës, ku do të përfshihet edhe vlera minimale e aksioneve.

E gjithë procedura do të zhvillohet në bashkëpunim me FSHF-në, duke marrë eksperienca nga procedura të ngjashme”, citohet në shkresën e që mban firmën e kryebashkiakut Rrok Dodaj.