Bashkia Shkodër nuk ka planifikuar asnjë lekë për investime në infrastrukturë për vitin 2012. Një gjë e tillë mësohet duke shfletuar buxhetin e këtij viti i cili mori miratimin e këshilltarëve pak ditë më parë. Mosinvestimi në infrastrukturën e sportit do të thotë kushte më të vështira stërvitje për sportistët e këtij qyteti dhe rrjedhimisht edhe rezultate më të dobëta sportive. Nëse kishte shpresa të mëdha për përfundimin e pistës së stadiumit “Loro Boriçi” për shtrimin me beton të tij ngaqë tartani do vinte si dhuratë nga Federata Europiane e Atletikës, tashmë kjo shpresë është shuar përfundimisht. Kishte shpresa për përfundimin e pistës së mbuluar 110 metra e gjatë poshtë tribunës por edhe për të nuk ka shpresë sepse nuk është planifikuar askund për këtë vit. Kishte shpresë se mund të ndërtohej palestra e mundjes për të cilën nuk është se duhen shumë fonde, por edhe ajo është harruar. Kishte shpresë se do bëhej një investim në bazën materiale për sportin më të suksesshëm- peshëngritjen për të blerë boshte të reja por edhe kjo shpresë është shuar.
Kishte shpresë se do vihej dorë në parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” që ka filluar të çahet, por as kjo nuk do bëhet. Kishte shpresë se më 2012-ën do të bëhej ndriçimi i fushës sportive “Reshit Rusi” në mënyrë që të zgjatej orari i stërvitjes së ekipeve zinxhir të Vllaznisë ngaqë ka një fluks të jashtëzakonshëm, por as ajo nuk do bëhet. E vetmja gjë që është programuar dhe planifikuar në buxhet është studimi dhe projektimi i kompleksit të ri sportiv në Dobraç. Vetëm 480 mijë lekë të reja. Megjithatë ajo thuajse është zero për një Bashki të madhe si kjo e Shkodrës e cila sportin ndoshta duhej ta kishte ndër prioritetet e saj për vetë historinë dhe traditën e tij në këtë qytet. Por drejtuesit aktualë të saj nuk mendojnë kështu. Sporti vazhdon të konsiderohet gjëja e fundit me të cilën duhen marrë pavarësisht se ky qytet ka nxjerrë kampionë bote nga rradhët e tij, kampionë Europe etj. Dhe nëse nuk investohet sot në infrastrukturë, sigurisht që nuk do ketë zhvillim në sport, çka do të thotë se gradualisht sporti cilësor në Shkodër do shkojë drejt zhdukjes. Unë uroj të mos ndodhë kështu sepse do ishte një mëkat i vërtetë. “Se ka kush mendjen tek sporti. Dhe meqë është kështu, Bashkia të paktën të ndërtojë një muze sportiv ku të fusë brenda gjithë historinë e deritanishme dhe ta ruajë fort atë që ka patur se për atë që vjen, askush nuk e ka ndër mend të bëj gjë”- do më thoshte sot një nga sportistët më të mëdhenj që ka nxjerrë Shkodra. Të jetë vërtetë kështu? Nuk dua ta besoj megjithatë….
www.shkodrasport.com