Të martën do të zhvillohet mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak Shkodër dhe një ndër pikat e rendit të ditës është edhe nderimi i disa figurave të shquara të këtij qyteti në fusha të ndryshme. Burime pranë këtij Këshilli bëjnë të ditur se do të nderohen 8 personalitete dhe interesant është fakti që 6 prej tyre i përkasin fushës së sportit. Propozimi për nderimin e tyre ka kohë që është bërë por prej disa muajsh nuk janë dhënë tituj nga ana e këtij Këshilli për shkak të mosplotësimit të komisionit që i shqyrton ato.

Tashmë kjo pengesë ka kaluar dhe të martën, do jenë anëtarët e Këshillit Bashkiak ata që do të votojnë për t’i dhënë titullin “Mirënjohja e Qytetit” këtyre figurave të shquara. Me shumë siguri nuk do ketë vota kundër sepse kemi të bëjmë me kampionë të mëdhenj në sporte të ndryshme që ato kanë marrë pjesë. Po kush janë ish-sportistët që do të nderohen? E para është një nga emrat e spikatur të volejbollit të viteve ’80 Eta Toska. Më pas, është një tjetër volejbollist, një nga më të mëdhenjtë jo vetëm të Shkodrës por edhe të Shqipërisë- Gjino Mjeda. Për të vazhduar me sportin e basketbollit ku do të nderohet Refik Vorfa, tek futbolli do të nderohet një mjeshtër si Selami Dani ndërkohë që tek çiklizmi rradha i takon “të harruarit” dhe të mrekullueshmit Brahim Syka. I gjashti i takon sportit të mundjes, edhe ky një kampion i madh dhe i harruar- Alfred Bardeli. Padyshim që një vlerësim i tillë për këto emra është mëse i merituar dhe në fakt ato e meritonin prej kohësh të nderoheshin nga qyteti për të cilin ato kanë kontribuar shumë. Por natyrisht, më mirë vonë se kurrë.
© shkodrasport.com