www.shkodrasport.com
Bashkia Shkodër, gati të presë si hero Erkand Qerimajn
Suksesi i Erkand Qerimajt në kampionatin Europian të Turqisë, nuk mund të kalonte në heshtje nga Bashkia Shkodër. Pikërisht për këtë gjë, dje është ngritur një grup pune për pritjen me të gjitha nderimet e duhura të këtij sportisti. Ky grup kryesohet nga nënkryetari i Bashkisë Ritvan Troshani. Nga sa ka bërë të ditur ai vetë dje për mediat, Qerimaj do mbërrijnë në Shqipëri paraditen e së dielës dhe për këtë arsye, Bashkia ka vënë në dispozicion për tifozët autobuzë që do nisen në orën 06.00 të mëngjesit para teatrit “Migjeni”, për të marrë rrugën drejt aeroportit të Rinasit. Po ashtu, është programuar edhe pritja festive në Shkodër pastaj teksa në oborrin e Bashkisë, Banda Frymore e qytetit do të ekzekutojë himnin kombëtar. Mendohet që numri i njerëzve të pranishëm për të pritur Kampionin e Europës të jetë i madh. Pas ceremonisë në oborrin e Bashkisë, më pas do kalohet në pritjen në zyrën e kryebashkiakut Lorenc Luka. Gjatë këtyre dy ditëve mund të mendohen edhe të tjera organizime për të pritur sportistin më të suksesshëm në historinë e sportit shkodran.