“Mirënjohje” për kontributin e dhënë si futbollist i formacionit titullar të Vllaznisë kampione dhe fituese të Kupës së Shqipërisë së viteve 70-të.
Është ky vlerësimi që kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia zgjodhi t’i dorëzojë në ditën e lindjes ish- mesfushorit të Vllaznisë Çesk Ndoja.
Megjithëse u shkëput herët nga sporti, Ndoja la gjurmët e tij krah emrave të shquar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. I lindur në Shkodër më 14 shkurt 1949, ai e nisi futbollin që në moshë të vogël tek shtëpia e pionerit me trajner, të mirënjohurin Ernest Halepjani.
Çesk Ndoja ka luajtur në rolin e mesfushorit të djathtë por edhe në atë të ekstremit (sulmuesit) të majtë, në periudhën kur u dëmtua Medin Zhega dhe ai shkoi në Rumani për t’u rikuperuar. Ndoja e ka lanë sportin në vitin 1977 kur ishte vetëm 28 vjeç dhe kishte ende shumë për t’i dhanë futbollit.