Keshilli Bashkiak Shkodër ka miratuar sot një fond prej 90 milionë lekësh për mbarëvajtjen e punëve në klubin e futbollit Vllaznia. Kjo si pasojë e mosrespektimit të kontratës nga kompania zviceriane “Gea Sport”. Bashkë me miratimin e këtij fondi, është miratuar njëkohësisht edhe nisja e procedurave për prishjen e kontratës me zvicerianët.
Pikërisht kjo ka qenë tema kryesore e diskutimeve në këtë mbledhje dhe në të ka patur shumë debate dhe polemika të cilat kanë zgjatur më tepër se një orë e gjysëm.Këshilltarët nuk kanë ngurruar të lëshojnë edhe akuza ndërkohë ndaj drejtuesve të Bashkisë megjithatë të gjithë në fund kanë qenë dakord se fondi i planifikuar duhej kaluar.Në këtë mënyrë, tashmë duket se tek Vllaznia do nisë sërish një periudhë e re. Brenda 5-10 ditëve do të ketë një mbledhje tjetër të Këshillit ku do të miratohet zyrtarisht prishja e kontratës me kompaninë “Gea Sport” dhe njëkohësisht, shkarkimin e bordit aktual të shoqërisë aksionere Vllaznia dhe krijimin e një bordi të ri me këshilltarë për funksionimin sa më normal të klubit të futbollit.
© shkodrasport.com