Në edicionin e sezonit të kaluar, ekipi i Vllaznia U-20 në volejboll për femra arriti të fitojë dy trofe kombëtare, Kupën “Rinia” dhe titullin kampion.
Tashmë, pas këtyre trofeve të fituara, ka ardhur edhe shpërblimi nga ana e Bashkisë Shkodër për këto suksese. Bashkia Shkodër dhe kryetari i saj Bardh Spahia kanë akorduar një shpërblim për secilën volejbolliste dhe së bashku me ta edhe për pjesëtarët e stafit teknik.
Pas këtij vendimi, Shoqata e Volejbollit Vllaznia ka falënderuar publikisht Bashkinë Shkodër, kryetarin e saj Bardh Spahia dhe Drejtorinë e Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Në postimin falënderues të shoqatës së volejbollit thuhet se në të ardhmen, bashkarisht mund të bëhet akoma më shumë për vajzat dhe qytetin e Shkodrës.
“Shoqata e Shkodrës Vllaznia Volleyball falënderon #bashkiashkoder , z. Bardh Spahia, #Drejtoria e Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit – Shkodër për shpërblimin në vlerë monetare për stafin dhe ekipin e U20 për rezultate të shkëlqyera në sezonin 2021-2022 .
Ky ekip arriti të fitojë Kupën Rinia dhe Kampionatin U20 për femra. Bashkë mund të bëjmë akoma më shumë për vajzat dhe qytetin e Shkodrës”,-shkruhet në postimin e shpërndarë në Facebook nga Shoqata e Volejbollit Vllaznia.
Maringlen ZHIVANI