
Pas jo pak përplasjeve në distancë, Bashkia Shkodër më në fund I ka kthyer përgjigje zyrtarisht gjashtë ish-donatorëve të Vllaznisë për një kërkesë që ata kishin bërë. Një përgjigje kjo që ka qenë negative dhe prandaj tashmë duhet pritur reagimi I ish-donatorëve. Historia nis gati 5 muaj më parë, kur 6 ish-donatorë të Vllaznisë depozituan në sekretarinë e Këshillit Bashkiak Shkodër një kërkesë për njohjen e kontributeve të tyre financiare tek klubi shkodran në vite. Valter Fushaj, Agron Çela, Xhevdet Amuli, Elvis Myftar Çela, Pjerin Fushaj dhe Flamur Hoxha me një shkresë zyrtare në muajin dhjetor kërkonin njohjen e kontributeve të tyre ose përkthimin e këtyre kontributeve në aksione tek klubi I futbollit. Kjo kërkesë e tyre prodhoi shumë debate në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak teksa këshilltarë të ndryshëm ngrinin zërin për mos ardhjen e kësaj shkresë në Këshill. Megjithatë përgjigja që ato merrnin e paralajmëronte atë përgjigje që zyrtarisht u ka mbërritur ish-donatorëve vetëm pak ditë më parë. Më konkretisht, më datën 3 maj, nga zyrat e Bashkisë Shkodër ka dalë shkresa përkatëse që u është dërguar më pas secilit prej këtyre ish-donatorëve ku u thuhej: “Kërkesa juaj e mbërritur në Këshillin Bashkiak Shkodër, është kaluar për shqyrtim procedure në Bordin Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, në Drejtorinë Juridike dhe Ekonomike të Bashkisë Shkodër për ta shqyrtuar. Nga një shqyrtim i tillë, si dhe nga kompetencat që Këshilli Bashkia ka sipas ligjit, rezulton se ky Këshill nuk mundet të marrë në shqyrtim një kërkesë të tillë që ju keni bërë”. Thënë ndryshe, gjashtë ish-donatorët tashmë kanë marrë një përgjigje negative për kërkesën që kanë bërë. Kontributet e tyre financiare në vite nuk mund të merren në shqyrtin nga ana e Këshillit Bashkiak Shkodër. Përderisa nuk e merr në shqyrtim ky institucion që kryen rolin e parlamentit të qytetit, kjo do të thotë se përgjigja që Bashkia Shkodër u ka dhënë atyre, është negative. Këtë përgjigje ata tashmë e kanë marrë dhe pritet reagimi i gjashtë ish-donatorëve se çfarë do bëjnë me kërkesën e tyre për njohjen e kontributeve financiare në vite tek ky klub.
www.shkodrasport.com