
Garon edhe në 100 metërsh dhe është ndër më të mirët e Shqipërisë duke konkurruar me emra të tillë si Tomi Stefallari i Korçës, Çlirim Balluku i Dinamos, Besim Qyqja i Tiranës, Rasim Kraja i Vllaznisë etj, të gjithë këta atletë të kombëtares shqiptare dhe anëtarë të ekipit kombëtar. Edhe Bashkimi arrin normën në 100 metra me kohën 10″7 dhe shpallet “Mjeshtër Sporti”.
Pas vitit 1970 tërhiqet nga sporti për arsye shëndetësore por vazhdon të jetë i lidhur me të sepse jep mësim në shkollat e qytetit të Shkodrës si specialist gjimnastike dhe atletike. Bashkim Paçrami është nderuar nga Bashkia e qytetit me titullin “Nderi i sportit shkodran”. Një njeri që meriton respekt nga të gjithë dhe jo vetëm për këtë. Familja Paçrami i ka dhënë shumë sportit shkodran. Ali Paçrami, babai i Bashkimit, ka qenë futbollist. E motra e Bashkimit- Safeti, ka qenë atlete, i vëllai- Fatmir, futbollist i Vllaznisë dhe “Mjeshtër Sporti” dhe më pas, edhe Blerina, e bija, do të ishte një gjimnaste shumë e mirë. Jo vetëm kaq. Edhe dhëndërri i Bashkimit- Brahim Syka, ka qenë një nga çiklistët më të mirë të Shqipërisë. Për të gjitha këto, ai ka pse të krenohet në këtë përvjetor të lindjes së tij. Natyrisht edhe Shkodra ka pse t’i urojë edhe ditëlindje të tjera. Njëkohësisht edhe Gazeta “SHKODRA SPORT” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Bashkimit!
Gjergj KOLA