Skuadra e Vllaznisë në basketboll për femra në ditët e fundit ka pësuar disa ndryshime. Në fakt kanë qenë thuajse të paralajmëruara, por tashmë janë zyrtarizuar. Bëhet fjalë për një largim dhe dy afrime në skuadër. Nga radhët e vajzave kuqeblu të basketbollit është larguar Paradisa Memçaj.
Basketbollistja e cila këtë vit kreu maturën, i është drejtuar kryeqytetit, Tiranës për të vazhduar studimet e larta. Shtatlartja nga Shkodra do të studiojë në degën e farmaceutikës, gjë e cila detyrimisht e largon nga ekipi i Vllaznisë. Në këtë mënyrë shkodranet nuk do të kenë më në përbërje vajzën e gjatë e cila gjatë sezonit të kaluar ishte ndër më të mirat në ekip. Me keqardhje ajo largohet nga Vllaznia sepse është skuadra në të cilën është formuar dhe për shumë vite duke nisur që nga ekipet zinxhir të Shkodrës me përkushtim zuri një vend në skuadrën e të rriturave dhe kampionatin e kaluar bëri një paraqitje të mirë. Kontributi i saj gjithnjë është vlerësuar. Për momentin është e shkëputur nga basketbolli sepse për të është më e rëndësishmë shkolla dhe nuk e dimë nëse do t’i rikthehet sërish sportit të luajtur edhe pse ajo e ka pasion dhe dëshirë të madhe. Memçaj para largimit nga Vllaznia është përshëndetur me të gjitha shoqet e saj basketbolliste si dhe stafin teknik duke iu uruar atyre suksese në sezonin e ri që akoma nuk është përcaktuar se kur mund të fillojë. Largimi i shkodranes padyshim që është një minus për këtë skuadër, por në ekip ka të tjera basketbolliste të cilat do të plotësojmë hapësirën e lënë nga Memçaj. Ndërkohë që në radhët e Vllaznisë janë afruar dy basketbolliste të reja. Ato natyrisht që nuk kane eksperiencën e duhur por gradualisht do të aktivizohen me skuadrën e parë në mënyrë që stafi i trajnerëve në një kohë jo shumë të gjatë t’i përftojë dhe t’i përgatisë për të përballuar ngarkesën me të rriturat.