Vllaznia ne basketboll për meshkuj vazhdon të lërë shumë për të dëshiruar ne kampionatin e sivjetem. Kur janë mbyllur ndeshjet e raundit të parë të fazës së parë të kampionatit, ekipi shkodran e sheh veten në fundin e tabelës së klasifikimit pas pesë humbjeve të pësuara në po kaq ndeshje të luajtura.

E fundit ka qenë ajo e pasdites së të shtunës në sallën sportive “Fahirje Hoti” të kryeqytetit ndaj Tiranës vendase. Bardheblutë kanë fituar me shifrat e thella 113 me 79 në një ndeshje ku Vllaznia bëri shumë pak për të kërkuar fitoren.

Kuptohet edhe e kushtëzuar nga përbërja sepse për këtë takim trajneri Taraboshi nuk kishte në dispozicion as dy prej lojtarëve më të mirë, Ndojën dhe kapitenin Bekteshi. Me lojtarë të rinj natyrisht që ishte shumë e vështirë të rivalizoje ndaj lojtarëve me përvojë të Tiranës.

Për rrjedhojë, fati i ndeshjes është vendosur që në dy periodat e para, të mbyllura me një avantazh prej 17 pikësh në favor të vendasve, Ato kanë arritur ta ruajnë këtë ritëm edhe në dy periodat e fundit duke e thelluar diferencën deri në 34 pikë.

Vllaznia në këtë mënyrë pëson humbjen e rradhës, e cila e pozicionon në fundin e tabelës së klasifikimit dhe është aktualisht pretendentja kryesore për të rënë nga kategoria. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, ky fat pritet ta ndjekë këtë ekip i cili në fakt deri para 2-3 sezonesh na bënte të gjithëve krenar, ndërsa sot vuan për gjithçka.
www.shkodrasport.com