Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia e basketbollit të meshkujve U-20 po bën një paraqitje shumë pozitive në kampionatin kombëtar të kësaj grupmoshe. Pas fitores në transfertë javën e kaluar ndaj Kamza Basket me vetëm një pikë diferencë, basketbollistët e drejtuar nga trajneri Kristjan Koçeku kanë rregjistruar një tjetër fitore emocionuese, po në transfertë.
Këtë rradhë, suksesi ka ardhur në pallatin e sportit të qytetit të Elbasanit, aty ku Vllaznia ka mposhtur skuadrën vendase me rezultatin 66-68. Një ndeshje kjo që ka qenë shumë e dyluftuar gjatë gjithë takimit. Kuqeblutë e nisën më mirë ndeshjen, teksa fituan periodën e parë me shifrat 14-17. 10-minutat e periodës së dytë ishin për vendasit, të cilët dolën fitues me shifrat 17-13, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazhin e tyre me vetëm një pikë diferencë, 31-30.
Në pjesën e dytë, falë edhe ndryshimeve të bëra në fushën e lojës nga ana e trajnerit Koqeku, Vllaznia merr komandën e periodës së tretë, duke e fituar atë 19-23 dhe duke e dërguar rezultatin e përgjithshëm pas tre periodave, 50-53. Një avantazh ky që pavarësisht se Elbasani fitoi periodën e katërt, nuk arriti të frenojë fitoren e krejt ndeshjes nga ana e Vllaznisë me rezultatin 66-68.
Një fitore mjaft e rëndësishme kjo nga ana e ekipit kuqeblu, që është e dyta rradhazi në kampionat, pavarësisht problematikave që kanë patur herë pas here me arbitrat, gjykimin e ndeshjeve apo edhe mungesën e sallës sportive dhe palestrës për të kryer stërvitjen e zakonshme./www.shkodrasport.com/