Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat duke mundur mbrëmjen e sotme Partizanin brenda në Tiranë. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi kanë fituar me rezultatin 77-72 ndaj të kuqve në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Takimi në fakt ka filluar më mirë për vendasit të cilët i mbyllën 10 minutat e para të tij në avantazh 15-11. Ndërkohë Vllaznia mundohet të reagojë disi në të dytën që fitohet prej saj me shifrat 17-14, megjithatë në pushim dy ekipet shkojnë me një epërsi prej një pike në favor të Partizanit.

Megjithatë shkodranët të pakënaqur me këtë gjë reagojnë në fillimin e periodës së dytë duke e kthyer rezultatin në favorin e tyre dhe për këtë arsye e fitojnë 10 minutëshin e tretë 25-20 dhe marrin në dorë frenat e lojës.

Në periodën e fundit sakaq, ata arrijnë ta administrojnë si duhet këtë avantazh dhe arrijnë ta fitojnë edhe atë 24-23 dhe si rrjedhojë fitojnë edhe krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 77-72.

Në këtë ndeshje për ekipin e Vllaznisë kanë shkëlqyer dy amerikanët Mckyron Endrel Tucker dhe Craig Lamont Saab që kanë shënuar nga 23 pikë secili ndërsa Veton Gjeçaj ka shënuar 13 pikë. Të tjerat janë shënuar nga Redi Rakaj (6), Antonio Shabani (5), Elidon Bitri (5) dhe Anthony Sopuluchukwu Ozobuekwe (2).

Me fitoren e sotme Vllaznia është ngjitur në kuotën e 15 pikëve duke i forcuar edhe më shumë pozitat e saj në vendin e pestë të renditjes dhe duke qenë brenda objektivave të saj./SHKODRA-SPORT.COM/