Basketbollistët e Vllaznisë nuk kanë arritur të fitojnë as ndaj Partizanit në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në “Qazim Dervishi”.

Në fund të takimit, të kuqtë kanë fituar me shifrat 62-58. Në fakt, loja ka qenë në dorën e shkodranëve.

Ata e kanë nisur shumë mirë ndeshjen, kanë fituar periodën e parë në shifrat 19-4 ndërsa në të dytën është arritur barazimi 15-15.

Në këtë mënyrë, dy ekipet kanë shkuar në pushim me 15 pikë avantazh në favor të Vllaznisë.

Por gjërat kanë ardhur duke u përkeqësuar në periodën e tretë që fitohet nga Partizani 24-9 dhe kësisoj rezultati është barazuar.

Perioda e fundit do të fitohej nga miqtë 19-15 të cilët e fitojnë krejt ndeshjen me 4 pikë diferencë.

Por në fakt edhe kjo ndeshje është shoqëruar nga pakënaqësi të shkodranëve për arbitrimin.

Mjafton t’u referohemi fakteve dhe ky është një tregues i mirë për këtë gjë. Vllaznia ka përfituar vetëm 13 gjuajtje të lira gjatë gjithë lojës ndërsa Partizani 26.

Shkodranët kanë shkaktuar 29 faulle ndërsa të kuqtë 17.

Si rrjedhojë, disa nga titullarët e ekipit vendas janë larguar nga fusha për plotësim të numrit pesë të personaleve dhe kjo padyshim që ndikoi në rezultatin përfundimtar të takimit.
© shkodrasport.com