Ekipi i Vllaznisë në basketboll për të rinj ka arritur një tjetër fitore në kampionat. Këtë herë ai ka triumfuar ndaj ekipit kryeqytetas “Qazim Turdiu”.

Ndeshja është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është dominuar nga basketbollistët e rinj shkodranë të cilët gjatë gjithë kohës së zhvillimit të saj, e kanë kontrolluar lojën dhe njëkohësisht avantazhin.

Trajneri Roland Koka padyshim që u pa qartë se i kishte ngarkuar me detyra të posaçme secilin prej lojtarëve të tij në mënyrë që skuadra të mos gabonte sepse kundërshtari kishte në përbërje elementë cilësorë.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Vllaznia ka arritur ta fitojë këtë ndeshje me rezultatin 60 me 52.

Një fitore kjo e cila i forcon pozitat basketbollistëve të rinj shkodranë në vendin e dytë të tabelës së renditjes.

Megjithatë objektivi i tyre nuk është ky. Ata duan vendin e parë dhe për ta arritur këtë gjë, i duhet të mundin rivalin e tyre kryesor, ekipin e Tiranës.

Ndeshja ndaj tij do të luhet këtë fundjavë në kryeqytet megjithatë kjo nuk përbën ndonjë problem për kuqeblutë.

Ata janë të vendosur për të udhëtuar në këtë transfertë, me një objektiv të qartë: Vetëm për fitore. Padyshim që ecuria e Vllaznia në gjithë këto javët e fundit ka qenë e mirë.

Ajo ka lënë pas disa probleme që kishte në ndeshjet e para dhe tashmë skuadra funksionon.

Trajneri Koka dhe ndihmësi i tij Taraboshi janë të bindur se edhe ndaj bardhebluve, i kanë mundësitë për ta fituar dhe për të treguar se titulli kampion edhe këtë sezon do të mbesë në Shkodër.
© shkodrasport.com