Tek klubi shumësportësh Vllaznia dy sporte do të kenë më shumë prioritet për vitin 2013. Kjo gjë është relatuar në Komisionin e Sportit të Këshillit Bashkiak, para se të kalonte në votim për miratimin e buxhetit të këtij viti. Për basketbollin dhe notin, është theksuar se ekziston mundësia e rritjes së cilësisë sportive dhe prandaj, me më pak investime, këto ekipe mund të rrisnin rezultatet. Në fakt, për basketbollin, kjo mund të jetë e arritshme. Ekipi ka bërë dy përforcime, ka marrë malazezin Kovaç dhe maqedonasin Markovski dhe janë përforcuar ndjeshëm duke qenë për momentin në vend të dytë në kampionat.


Nëse ka ndodhur kështu me basketbollin e meshkujve, të njëjtin pretendim ka edhe volejbolli sepse edhe ai është në vend të dytë dhe do më shumë financë për të marrë ndonjë lojtar dhe për të pretenduar titullin kampion. Por nëse basketbolli e ka të justifikuar kërkesën për më shumë fonde, paksa e çuditshme duket ajo për notin. Në Shkodër ekipet e notit ekzistojnë por nuk kanë cilësi. Prandaj, edhe nëse hidhen pak më shumë lekë për të, sërish nuk do sjellin rezultat. Bashkia Shkodër ka miratuar për klubin shumësportësh Vllaznia 360 milionë lekë të vjetra për vitin 2013. Kuptohet që kërkesat janë shumë më të mëdha por ky është buxheti aktual dhënë për të, teksa ka pak rritje në krahasim me vitin e kaluar, rritje kjo që shkon për basketbollin dhe notin.
www.shkodrasport.com