Mbrëmja e djeshme është shoqëruar me disa aktivitete sportive në Suharekë të Kosovës teksa është zhvilluar kupa memorial “Agu i Lirisë” në disa sporte.

Një kupë e tillë është zhvilluar edhe në basketboll ku përballë skuadrës vendase Ylli ka qenë Vllaznia e Shkodrës.

Mësohet se ndeshja ka patur rivalitet dhe ndonëse në periodën e parë basketbollistët kuqeblutë kanë krijuar një shkëputje prej 12-13 pikësh, kjo distancë është shkurtuar dhe deri në fund të takimit ka patur rivalitet.

Në fund pastaj ka qenë Vllaznia ajo që ka fituar me rezultatin 77-76 duke u bërë ajo fituese e kësaj kupe të vënë nga organizatorët.

Ajo i është dorëzuar kapitenit Ervin Berdica nga njëri prej drejtuesve të Komunës së Suharekës.

Fitorja e kësaj kupe duhet të jetë një nxitje për basketbollistët shkodranë në këtë fund-kampionati në Shqipëri për të arritur objektivin që kanë, futjen në play-off.
© shkodrasport.com