Ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë ka arritur një tjetër fitore në kampionat. Ajo është e treta në pesë ndeshje të zhvilluara duke treguar se sivjet ka pretendime ndryshe nga një sezon më parë. Sot, në ndeshjen e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ky ekip ka mundur Studentin me rezultatin e thellë 101-74. Siç shikohet, interesant është fakti se skuadra e trajnerit Rajmond Rasha ka arritur të shënojë plot 101 pikë në këtë ndeshje teksa fitoren nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim. Vetëm perioda e parë e ndeshjes ka qenë e ekuilibruar teksa është mbyllur në shifrat 18-18 ndërsa epërsia ka filluar të vihet në periodën e dytë që është fituar nga Vllaznia 27-20, për t’u thelluar shumë në të tretën që fitohet 32-20 dhe në të katërt me shifrat 24-16 vuloset diferenca përfundimtare prej 27 pikësh me kundërshtarin. Përveç fitores së sotme, ky ekip edhe në ndeshjen e javës së kaluar në kryeqytet me Tiranën ka luajtur shumë mirë dhe sipas trajneri Rasha, në humbjen e saj kanë ndikuar direkt gjyqtarët e ndeshjes.
www.shkodrasport.com