Basketbollistët e Vllaznisë përveçse fitues në fushën e lojës, kanë treguar se dinë të jenë njerëzor edhe jashtë sportit. Këtë e kanë treguar më së miri edhe me gjestin e bërë pasditen e së enjtes kur të gjithë pjestarët e ekipit, të shoqëruar nga trajneri Bledar Gjeçaj dhe drejtori I klubit Vllaznia Mark Kroqi, kanë qenë të pranishëm në shtëpinë e fëmijës 6-16 vjeç në Shkodër për t’iu gjendur pranë nxënësve të saj e për t’I treguar se e kanë një vend ku të mbështeten për ingranimin e tyre në jetë. Në shenjë simbolike, atyre u është dhuruar edhe topi I basketbollit. Drejtori Kroqi dhe njëri nga basketbollistët e këtij ekipi Nikolin Arra, në fjalën e tyre para nxënësve, kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për ta. “Duhet t’u dhurojmë dashuri këtyre fëmijëve në mënyrë që ata të mos ndjehen të braktisur dhe të vetmuar. Për këtë arsye, jemi këtu për t’u thënë se na kanë edhe ne pranë. Madje, do të bënim një thirrje për të gjithë njerëzit për të qenë pranë këtyre fëmijëve”- kanë thënë ata.Nga ana e tij, drejtori I shtëpisë së fëmijës Arjan Dushaj, ka falenderuar pjestarët e ekipit të basketbollit për këtë gjest të tyre. Gjesti I ekipit të basketbollit të Vllaznisë sigurisht që vlen shumë për këta fëmijë e natyrisht që edhe të tjerë duhet t’u dhurojnë më shumë dashuri atyre, për t’ua bërë edhe më të lehtë jetën.
Gjergj KOLA