Basketbollistet e reja të Vllaznia nuk ia kanë dalë të rivalizojnë ndaj ekipit të Klubit Tiranë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të kampionatit kombëtar.

Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” vajzat kuqeblu kanë humbur me rezultatin e thellë 59-100.

Padyshim që basketbollistet e reja shkodrane e kanë patur të vështirë të rivalizojnë ekipin kundërshtar që në rradhët e tij kishte plot 6 lojtare të huaja të cilat bënin edhe diferencën në fushën e lojës.

Kësisoj rrugëtimi i ekipit të Vllaznisë në kampionatin e sivjetëm mbyllet me renditjen e tij në katërshen e më të mirave të kampionatit dhe ky është objektivi i arritur për të.

Në rradhët e tij ka vajza me moshë shumë të re të cilat vërtetë premtojnë për të ardhmen por kuptohet që përballë lojtareve të huaja me shumë eksperiencë që kanë mbushur ekipet shqiptare, e kanë të vështirë të rivalizojnë.
© shkodrasport.com