Basketbollisti shkodran Daniel Lekndreaj ka ndryshuar skuadër, por do të mbetet sërish në kampionatin kosovar. Ditën e sotme ai është zyrtarizuar si basketbollist i ekipit Vëllaznimi të Gjakovës.
Ka qenë vetë klubi gjakovar i cili ka njoftuar zyrtarisht këtë të martë për arritjen e marrëveshjes me lojtarin e kombëtares shqiptare, por siç dihet Lekndreaj gjithashtu ka edhe nënshtetësi kosovare.
Lekndreaj ishte rikthyer te Sigal Prishtina në fillim të këtij sezoni, por që nuk regjistroi asnjë paraqitje me të për shkak të një dëmtimi dhe më pas nënshtrimit të një ndërhyrje kirurgjikale. Por tashmë çdo gjë është lënë pas prej tij dhe ai në fillimin e vitit të ardhshëm pritet të jetë sërish në fushë.
Basketbollisti shkodran do të jetë i gatshëm për të ndihmuar Vëllaznimin nga janari i vitit të ardhshëm për të arritur objektivat që ai ka dhe natyrisht falë talentit dhe eksperiencës së krijuar tashmë në kampionatin kosovar, ai mendohet të jetë një pikë shumë e fortë për ekipin gjakovar.
Përveç te Prishtina, 26-vjeçari më herët ka luajtur edhe te Bashkimi e Peja. Daniel Lekndreaj ka një mesatare të karrierës prej 11.6 pikësh për ndeshje, 8.9 kërcimesh, 2.7 asistimesh, 1.2 topash të vjedhur. Luan në pozicionet 3 dhe 4 dhe natyrisht që firma e tij në Vëllaznim është pritur jashtëzakonisht mirë.
Gjergj KOLA