Kryeministri Edi Rama ka organizuar sot një dëgjesë publike, në lidhje me propozimin për rihapjen e basteve sportive në Shqipëri, të mbyllura në 1 janar 2019. Propozimi i kreut të KOKSH, Fidel Ylli dhe atij të FSHF-së, Armand Duka, ka bërë që qeveria të reagojë duke dëgjuar palët. Në një panel me ministra, kryetarë bashkie dhe sportistë pas Ramës dhe Yllit ka folur edhe Armand Duka.

Kreu i FSHF e ka vënë theksin te legalizimi dhe kontrolli i basteve, në mënyrë që paratë që prodhon ky biznes që sot luhet në të zezë mos shkojnë dëm, por të investohen për sportin. Duka në fjalën e tij ka thënë se nëse një gjë e tillë bëhet, paratë do investohen në fusha sportive, kryesisht në Tiranë ku ka 10 fusha për 10 mijë sportistë, teksa duhen 50 të tilla.

“Falenderoj kryeministrin, ministren e Sportit. Gjatë kësaj periudhe mbështetja nga ministrja dhe administrata e saj ka qenë e madhe. Në takimin e parë me zonjën Kushi, ministrja ka qenë skeptike.

Unë dhe Fideli kur e propozuam nuk bëmë shpikje, e kemi parë në botë. Po flasim për baste të ligjshme. Ato që luhen të luhen në mënyrë të ligjshme. Ato para që mblidhen të investohen.

Kemi menduar si një burim financimi për sportin, që i tha Fideli por ka më shumë se kaq. Duke përfituar nga ky takim me këtë panel të pasur, duhet të theksoj se futbolli ka nevoja më shumë se rikthimi i basteve.

Ju premtoj se FSHF, nëse ktheni bastet, nevoja për infrastrukturë është e madhe. Kemi 100 herë më pak se Sllovenia. Tirana ka 10 fusha me 10 mijë futbollistë. Duhen minimalisht 50 fusha. Nëse do marrim diçka, uroj që ju dhe parlamenti dhe spektri politik të pranojë këtë gjë, ne do ndërtojmë fusha, kryesisht në Tiranë sepse ka mungesë të madhe.

Shqiptarët e duan futbollin, çdo fëmijë që lind do të luajë. Unë e kam peng që nuk po i japim dot mundësi me fusha. Nuk jam nga ata që besoj se plani 2 vjeçar sjell begati apo na bën kampion Europe. Kemi punë organizative. Askush mos ketë iluzion se sporti zhvillohet pa mbështetje nga qeveria.

Futbolli në botë ka mbështetje. Ne jemi të vetmit që nuk kemi ligjin e sponsorizimeve. Turp për mua dhe për ne që Kosova na ka kaluar me 10 vende, ka bërë këtë ligj. Nuk më duket se ka bërë gjë tjetër më shumë se ne.

Unë kënaqem që kam në krah një kampione Europe si Luiza. Do duhen më shumë investime. Dua ta merrni parasysh këtë kërkesë, që duhet të jetë e kontrolluar. Janë institucionet e tjera që e kontrollojnë”, tha Duka./newsport/