Një nga ndryshimet që trajneri Inzagi bëri te ekipi i Lacios me ardhjen e tij në sezonin e shkuar, ishte vendimi i tij për portierin.
Pas një periudhe të gjatë që Marketi kishte në portën e Lacios, si portieri i pazëvendësueshëm, Inzagi ia besoi këtë pozicion Strakoshës, pasi kishte punuar më parë me të edhe te rinjtë e Lacios.
Koha tregoi se zgjedhja e teknikut italian ishte idealja, ndërsa portieri shqiptar u shndërrua në një pikë të fortë për Lacion.
“Muzika” është luajtur në të njëjtin ritëm edhe në takimin e sotëm, atje ku Lacio barazoi me Atalantën me rezultatin 1-1, vetëm falë pritjeve shpëtimtare të Strakoshës.
Në përfundimin e ndeshjes, Inzagi është shprehur i kënaqur për portierin shqiptar në intervistën e dhënë për “Premium Sport”:
“Strakosha është duke punuar dhe duke u përmirësuar ndeshje pas ndeshje. Mund të them se ai është rritur ndjeshëm nga sezoni i shkuar.
Nuk duhet harruar se të jesh portieri i Lacios nuk është një përgjegjësi e lehtë”, ka thënë Inzaghi. /vipsport/