Tashmë nuk bëhet fjalë për një spekulim mediatik, por është një e vërtetë, Batha ka vendosur zyrtarisht të largohet nga Partizani.

Pas disa sezonesh me klubin e të kuqve, Idriz Batha ka zgjedhur largimin si alternativën më të mirë, teksa për përkeqësimin e situatës te Partizani, ia ka hedhur fajin ardhjes së Moxhit dhe italianëve.

“Po, nuk mund të vazhdojmë dot më. Më vjen keq ç’është e vërteta që gjërat rrodhën kështu.

Por nuk mund të them se jam i zhgënjyer se nuk mund të hedh poshtë në dy javë të gjithë atë që kam kaluar në këto vite. Nuk mund të ma hedhin poshtë dy ndeshjet e fundit.

Një vit për t’u harruar dhe që nuk i shkon përshtat fanellën e Partizanit. Kam bindjen se gjërat u ndërtuan keq që në fillim, që me ardhjen e Moxhit dhe njerëzve që erdhën në verë të Partizanit. Ndikuan shumë afrimet dhe largimet e Partizanit.

Është e vështirë në futboll që të ecësh përpara, pa pasur një grup që luajnë prej kohësh së bashku. Ne që quheshim “garda e vjetër”, që nuk ekzistonte fare në ekip, ishte si një presion për ne, pasi na faturohej gjithçka.

Ishte një term i gabuar “garda e vjetër”, pasi ne të gjithë luftonim vetëm për një qëllim, që të shkonte sa më lartë Partizani.

Partizani më i fortë ishte me Ekubanin në sulm, me Torasën dhe Cetkovicin. Nuk ka dyshim për asnjë tifoz, që ai ishte më i forti.

Dëshirë kam që të provoj veten me një aventurë jashtë vendit dhe shpresoj që t’ia arrij qëllimit, prandaj nuk po bisedoj me klubet në Shqipëri.

Jam duke pritur disa mundësi që kam për jashtë dhe nëse kjo nuk realizohet, atëherë do të shoh variantet në Shqipëri”, ka thënë Batha. /vipsport/