Dy ditët e fundit në media ka qarkulluar lajmi se drejtuesit e Flamurtarit po bëjnë çmos për të marrë futbollistin shkodran Xhevahir Sukaj. Por fakti, që ai për të marrë letrat nga Vllaznia duhet të paguajë së paku 50 mijë euro në arkën e klubit shkodran, e bën të vështirë këtë gjë. Drejtuesit kuqeblu thuhet të kenë kërkuar si këmbim marrjen e Rajoviç dhe Lenës për ta lënë të lirë me kosto zero Sukajn.
Por kjo gjë është hedhur poshtë nga drejtuesit e Flamurtarit që me humor, po përmes medias janë përgjigjur: “Shkodranët kot nuk thonë duam edhe kryebashkikun tonë Shpëtim Gjikën. Nuk e di nga dalin këto fjalë por nuk jemi të interesuar për ta marrë Sukajn. Nëse do ishim të interesuar, do ta thonim”-ka deklaruar drejtori teknik i Flamurtarit Përparim Lushaj. Megjithatë, sërish mediat kanë bërë të ditur se Rajoviç e Lena nuk do këmbëhen me Sukajn por nëse Vllaznisë i interesojnë, ata janë të gatshëm t’i japin mbrojtësin laçian Brahja dhe sulmuesin Brkiç. Nuk dihet ende nëse kuqebluve u bëjnë punë këta lojtarë por e vërteta është se batuta e vlonjatëve “a e doni edhe Gjikën”, ka qenë shumë e bukur dhe do mbahet mend gjatë. Në fakt nuk do ishte keq të ndodhte kështu ngaqë kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka pavarësisht se është president i Vllaznisë, nuk është fare tifoz me futbollin. Ky është ndryshimi i madh mes dy kryebashkiakëve. Shkodranët në fakt nuk kanë nevojë për Gjikën, por kanë nevojë për tifozllëkun dhe mënyrën si e ndjek ai skuadrën.