Ylli i Bayern Munich, Manuel Neuer thuhet se do të kthehet në ekip javën e ardhshme në sfidën që bavarezët e luajnë kundër Darmstadt-it. 37-vjeçari ka mbetur jashtë fushës që kur theu këmbën në një aksident gjatë skijimit dhjetorin e kaluar.

Portieri me përvojë u rikthye në stërvitje në gusht dhe pritej të ishte në aksion kundër Preussen Munster muajin e kaluar.Por, rikthimi i Neuer e shtye dhe ai nuk u bë pjesë e ekipit të Bayernit për ndeshjen që e zhvilluan në kuadër të Kupës së Gjermanisë.

Sidoqoftë, tani është planifikuar që ai të kthehet për ndeshjen në shtëpi kundër SV Darmstadt 98 javën e ardhshme, sipas gazetarit Florian Plettenberg.Raportohet se ky ishte një vendim i përbashkët i lojtarit, trajnerit Thomas Tuchel dhe trajnerit të portierëve Rechner.

37-vjeçari ka luajtur për herë të fundit për Bayernin në nëntor kundër Schalkes në Bundesligë. Më pas ai ishte kapiten i Gjermanisë në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku ata përfunduan të tretët në grupin e tyre dhe u eliminuan shumë herët nga ajo garë.

Në mungesë të tij, Yann Sommer u paraqit për bavarezët për pjesën e mbetur të sezonit 2022-23 para se të largohej në drejtim të Interit në verë.

Thomas Tuchel ka përdorur Sven Ulreich në portë këtë sezon dhe gjermani ka bërë një punë mbresëlënëse deri më tani.35-vjeçari ka startuar në shtatë ndeshje të Bundesligës, ku ka mbajtur portën e paprekur në tri prej tyre.Tani me rikthimin e Neuer, mbetet për t’u parë se kë preferon Tuchel mes dy shtyllave të portës./Telegrafi/