Klubi gjerman, Bayern Munich thuhet se ka etiketuar dy sulmues të njohur si pasues të mundshëm të yllit anglez, Harry Kane, në Allianz Arena.

Harry Kane vendosi së fundmi një rekord të Bundesligës, duke shënuar dy gola me kokë për ta çuar totalin e tij në 55 gola për Bayern Munich.

Asnjë lojtar nuk kishte qenë më i suksesshëm në 50 paraqitjet e tyre të para në Bundesligë. Pavarësisht kësaj, sipas Sport Bild, Bayerni po përgatitet për të ardhmen dhe po kërkon një zëvendësues për sulmuesin anglez, i cili në korrik do të mbushë 32 vjeç.

Emra si Benjamin Sesko nga RB Leipzig dhe Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona janë diskutuar, ku të dy me gjasë kushtojnë rreth 70 milionë euro, por fitojnë dukshëm më pak se Kane, i cili ka një kontratë 25 milionë euro në vit.

Raportet sugjerojnë se Kane ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij, duke e lejuar atë të largohet për 80 milionë euro në afatin kalimtar të dimrit.Klauzola do të jetë sërish aktive në vitin 2026 për një çmim më të ulët dhe Kane do të jetë i lirë të largohet në 2027. /Telegrafi/