Bayern Munich ka marrë hak ndaj Paris Saint-Germain, duke fituar 3-1 në stadiumin “Allianz Arena”, gjithsesi bavarezët duhet të pajtohen me vendin e dytë në Grupin B të Champions League, sepse barazuan me pikë francezët, por kishin humbur 3-0 në ndeshjen e parë në “Parc des Princes”, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Carlo Ancelotti. Me Jupp Heynckes në stol është një Bayern ndryshe dhe kjo u pa me dy golat e shënuar që në pjesën e parë. Në minutën e tetë Robert Lewandowski u shfaq si “grabitqar” në mbrojtjen e PSG, duke realizuar golin e tij numër 52 në 51 ndeshje të luajtura gjatë viti kalendarik 2017.
Tetë minuta para fundit të pjesës së parë, James Rodriguez dha krosimin e duhur për Tolisso, i cili shënoi me kokë golin e dytë për vendasit. Reagimi i PSG erdhi në fillimin e pjesës së dytë, kur Edison Cavani shërbeu për Kylian Mbappe, i cili bëhet 18-vjeçari i parë që arrin kuotën e 10 golave në Champions League, pasi mposhti portierin Ulreich. Gjithsesi, Bayern Munich i mbylli llogaritë me golin e dytë të shënuar nga mesfushori francez Corentin Tolisso, 20 minuta para fundit. PSG dhe Bayern e mbyllën grupin me 15 pikë, por kokë grupi gjatë shortit do të jenë francezët e Unai Emery. Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Anderlecht fitoi 1-0 në Skoci kundër Celtic, por janë këta të fundit që marrin vendin e tretë dhe “biletën” për të vazhduar më tej në Europa League, pasi kishin fituar 3-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Belgjikë.