Bayern-i tashmë mund të thuhet pa frikë se është në krizë dhe trajneri Niko Kovac është në shënjestër, edhe pse të gjithë e dinë që nuk është ai fajtori i vetëm.
Shenja krize kishte prej disa ndeshjesh dhe barazimi ndaj Ajax-it ishte një sinjal i qartë se bavarezët kanë shumë probleme, duke mos ditur më si të kthejnë dominimin në gola dhe duke mos pasur ide në sulm e organizim në mbrojtje.
Sot e ka pasur radhën Gladbach të triumfojë në Mynih dhe jo pak, por 3-0, në ndeshjen e katërt rresht të Bayern-it pa fitore në të gjitha kompeticionet.
Bayern-i e nisi në sulm, krijoi lojë e rreziqe, por në minutën e 10-të Gladbach shënoi me të parin rast që krijoi. Alassane Plea goditi nga jashtë zone, Manuel Neuer u mposht edhe falë një devijimi të lehtë!
Gjashtë minuta më vonë Bayerni e katranosi vetë. Neuer pasim te Thiago, ky i fundit e kontrollon keq dhe Jonas Hofmann rrëmben topin, duke pasuar te Lars Stindl, i cili shënon golin e dytë me një gjuajtje shumë të saktë.
Në pjesën e dytë Bayern e shtoi presionin dhe mund të shënonte të paktën një gol, për ta ndezur sfidën, por Gladbach u mbrojt mirë dhe në minutën e 88-të Herrmann shënoi golin e festës së madhe për miqtë, por edhe për gjithë Bundesligën, sepse Bayern-i zbret i pesti dhe po ndodh ajo që ëndërronin të gjithë rivalët e Bayern-it dhe tifozët që duan një Bundesligë tërheqëse: Bayern duket në krizë! Si për të shtuar hallet e Bayern-it, u dëmtua edhe David Alaba, një lojtar kyç për bavarezët./telesport/