Bedri Omuri mendon se Tirana është një nga pretendentet për titullin kampion. Jo vetëm kaq, por Omuri pranon se bardheblutë as nuk e diskutojnë Europën. Kritikon pak klubin për çështjen “Dede”, ndërsa Shehit i kujton se rezultatet dhe Tirana janë në plan të parë. Në një intervistë për mediat, ai thotë se skuadra është e plotë dhe në letër mund të luftojë me çdo kundërshtar.
“Tirana nëse i kalon këto dy ndeshjet delikate që ka me Kukësin dhe Teutën, them se jemi për Europë. Ose, më saktë, unë e them që Tirana do të shkojë në Europë. Edhe titulli të mos duket diçka e habitshme.
Nuk ka ndonjë diferencë të madhe me kreun. Aq më tepër që diferenca e ekipeve tona është zero. Ekipet janë të barabarta, pavarësisht renditjes. Edhe Vllaznia që eci, dihej që një ditë do të mbeste. Në këtë grumbull skuadrash, ekipet janë të gjitha të barabarta.
E përsëris, Tirana është pretendente për titullin kampion, ndërsa pjesëmarrjen në Europë nuk e diskutoj. Ky kampionat do të jetë i bukur do të ketë shumë rivalitet. Janë shumë skuadra që e duan titullin dhe janë pranë. Kjo është gjëja më e mirë e këtij sezoni”- ka thene nder te tjera ish- mbrojtesi i bardhebluve Bedri Omuri.